Dyshohet se u prek nga varianti afrikan i Covid

Një ushtar i Maqedonisë së veriut, pjesëmarrës në misionin paqësor evropian në Republikën e Afrikës Qendrore, i cili që nga java e kaluar është pozitiv me Covid-19, sonte pritet të transferohet për mjekim në Shkup. Operacioni për transferimin e tij do të bëhet në marrëveshje me Shërbimin Evropian për marrëdhënie të jashtme, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska.

Nënkoloneli i Armatës së Maqedonisë së Veriut, i infektuar me koronavirus, përmes një transporti të posaçëm do të transferohet për mjekim në Shkup, pasi ekspertët mjekësor atje kanë vlerësuar se kushtet për mjekim në Republikën e Afrikës Qendore, ku ka marrë pjesë në misionin paqësor evropian, nuk janë të përshtatshme. Raportohet se në Klinikën Infektive në Shkup tashmë janë gati për të pranuar pacientin që dyshohet se është infektuar me llojin jugafrikan të virusit, por do të bëhen analiza plotësuese për të konstatuar llojin e saktë.

 “Duke qenë se nga ana e ekspertëve mjekësor gjendja nuk është vlerësuar si plotësisht nën kontroll, me rekomandim të ekspertëve në kuadër të misionit të BE-së, ai me evakuim medicinal do të sillet në shtëpi në Shkup, supozoj sonte. Këtë evakuim mjekësor e kemi bërë në bashkëpunim me shërbimet evropiane për marrëdhënie të jashtme dhe dëshiroj t’i falënderoj.”

Varianti jugafrikan deri më tash nuk është identifikuar në Maqedoninë e Veriut, virus ky që mendohet se përhapet më shpejt dhe për këtë shkak të gjithë udhëtarët që hyjnë në Maqedoninë e Veriut nga Afrika i nënshtrohen karantinës dyjavore.

Për momentin rreth 70 ushtarë  të Armatës së Maqedonisë së Veriut marrin pjesë në misione paqësore, të udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja ose Kombet e Bashkuara, në tre kontinente në botë.

Klan Macedonia