Ushtari i ARM-së, i infektuar me Covid-19 në Afrikë, nuk e ka llojin jugafrikan të virusit, konfirmojnë autoritetet shëndetësore. Ai është në fazë rikuperimi pasi këtyre ditëve u transferua me aeroplan për mjekim në Shkup. Ka marrë pjesë në misionin paqësor në Republikën e Afrikës Qendrore, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Nënkoloneli i ARM-së i cili u infektua me virusin korona duke shërbyer në misionin paqësor në Republikën e Afrikës Qendrore dhe këtyre ditëve me aeroplan u transferua në vend, nuk është bartës i llojit jugafrikan të koronavirusit dhe me këtë është hequr frika se në vend është sjellë mutacioni më i rrezikshëm.

“Sipas analizave të AMSHA-së te ushtari është detektuar lloji nigerian i virusit, por jo ai jugoafrikan. Edhe pse ka ngjajshmëri në mes dy llojeve, nuk bëhet fjalë për mutacionin e njëjtë. Lloji nigerian është i shpeshtë në vendet afrikane.”

Ajo që për momentin dihet për vetitë e llojit nigerian të virusit korona, i njohur si varianti B.1.525 është se mund të përhapet më lehtë dhe ta shmang përgjigjen imune. Për herë të parë është detektuar në Nigeri në dhjetor të vitit të kaluar, por shpejt u përhap në Britani të Madhe, Francë dhe në vende të tjera.

Për momentin në botë shqetësim më të madh shkakton mutacioni që përhapet në Indi dhe për të cilin pohohet se përhapet për 60% më shpejt se variantet tjera më të pranishme.

Klan Macedonia