Shtatë të plagosurit, katër prej të cilëve ushtarë të UÇK-së të plagosur nga predha e djeshme dhe pastaj tre të tjerë me dëmtime, mbërrijnë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Të plagosurit i janë nënshtruar grafisë dhe më pas mjekët do t’i operojnë. Për situatën në të cilën ndodhet ky spital sqaron Nëndrejtori i këtij spitali.

Nëndrejtori i Spitalit Ushtarak: Jemi duke pritur në të njëjtën kohë dhe një autoambulancë e cila është nisur nga Veriu me pesë të dëmtuar të tjerë, pasi koha ka qënë e papërshtatshme për fluturimin e helikopterit dhe ata janë nisur që në orën 4 të mëngjesit. Situatën se si do zhvillohet nuk e dimë aktualisht. Megjithëse kemi të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes që ndoshta mund të ketë probleme të tilla. Në këto 10 ditë kemi rreth 25 të dëmtuar, të plagosur. Kemi vështirësitë tona, por për ndihmë urgjente dhe për të mos rrezikuar jetën i plotësojmë.

Dhimbja është e thellë. Përveçse kanë humbur shumë gjak dhe kanë pësuar plagë në trup nuk humbet dëshira për të luftuar dhe për ta çliruar vendin e tyre. Vetë ushtarët e plagosur tregojnë pak histori nga ajo që kanë jetuar. Një djalosh ushtar që luftoi për të çliruar vendin i duhet tashmë të luftojë edhe me vdekjen. Një sallë më tutje ndodhet ushtari i vijës sonë kufitare. Ai është plagosur në gjoks, krahë dhe këmbë dhe për gjithçka që ndodhi gjen forcë e tregon./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti