Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të lërë në “arrest me burg” Endrit Zelën dhe Endrit Qyqen, të arrestuar si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit. Ata u arrestuan 2 ditë më parë në hyrje të burgut 313 ku kishin shkuar për të takuar Shullazin.

Zela dhe Qyqja akuzohen se në bashkëpunim me Emiljano Shullazin dhe Gilmano Danin dhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.

Dy të arrestuarit nuk kanë folur para gjykatës, por përmes avokatit të tyre nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë. Ka qenë dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja që çoi në arrestimin e tyre. Biznesmeni ka denoncuar Shullazin dhe 4 anëtare të grupit të tij për dhunë, kërcenim dhe shantazh për t’i zhvatur shuma të mëdha parash.

Ai është marrë në mbrojtje nga policia pasi ka pranuar të bashkëpunojë dhe të rrëfejë kërcënimet për dhurimin e 20% të pronësisë së ish-hotel Vollgës në Durrës.

Prokurorët thonë se pas nënshkrimit të kontratës në vazhdimësi Emiljano Shullazi ka kërkuar nga biznesmeni sasi të mëdha parash nën kërcënimin e dhunës verbale, psikologjike dhe fizike.

Të pranishëm në situata të tilla kanë qenë Gilmando Dani, Endri Qyqja dhe Endri Zela  si dhe disa persona të tjerë.

Në vitin 2005 Endrit Qyqja ka vrarë pranë zonës së ATSH-së në Tiranë, Erind Koçinë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e dënuan me 18 burg për vrasje me dashje, por Gjykata e Larte në vitin 2009 prishi vendimin duke e konsideruar vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes./ TV KLAN