Në betejën kundër pandemisë, ushtarët zviceranë po përdorin smartphone-et e tyre, për të ndihmuar studiuesit për të provuar një aplikacion të ri për gjurmimin e rasteve me COVID-19.

Instituti i Teknologjisë Federale Zvicerane shpreson që aplikacioni të jetë gati në 11 Maj. 100 ushtarë në Chamblon afër Lausanne, u ofruan për të shkarkuar dhe përdorur aplikacionin.

Nëse disa prej tyre kalojnë 15 minuta pa ruajtur distancën prej 2 metrash nga njëri-tjetri, ai informacion do të regjistrohet në pajisjet e tyre.

Drejtori i laboratorit dixhital të epidemiologjisë, Marcel Salathe u shpreh se aplikacioni e  kryen veprimin në një mënyrë të koduar dhe regjistrimet qëndrojnë në telefon.

Nëse një person rezulton pozitiv, ata mund të ngarkojnë ID e tyre në sistem dhe atëherë aplikacioni kontrollon nëse kanë qenë afër atij personi dhe më pas mund t’i telefonojnë autoritetet shëndetësore.

Mendohet se gjurmimi i kontakteve me bazë Bluetooth mund të japë një kontribut të dobishëm për të luftuar pandeminë. Veçanërisht nëse shumë njerëz e shkarkojnë aplikacionin dhe e përdorin atë.

Por kjo teknologji është ende e paprovuar dhe të moshuarit që janë dhe grupi me riskun më të lartë, e përdorin shumë pak smartphone.

Regjistrimet me Bluetooth mbahen në një mënyrë të decentralizuar në pajisje, jo në një server qëndror.

Ky do të ishte dizajni i parë i decentralizuar, që mbështetet nga standardet e reja të teknologjisë të përpunuara nga gjigandët e teknologjisë Apple dhe Google.

Në Gjenevë, shumë individë u shprehën se ishin skeptikë, nëse do ta shkarkonin një aplikacion të tillë, për shkak se nuk janë të sigurt në lidhje me ruajtjen e të dhënave të tyre personale.

Parlamenti zviceran do të mblidhet nga 4 Maj deri në 8 Maj dhe çështja e aplikacionit mund të diskutohet në një nga seancat. /tvklan.al