Urdhri i Presidentit: Qëlloni pa paralajmërim

Të shtënat e armëve nuk janë ndalur as këtë të premte në Almati të Kazakistanit. Pasi autoritetet njoftuan se rregulli ishte rivendosur në pjesën më të madhe të vendit, Presidenti Kasim Zhomart Tokajev urdhëroi ushtrinë të qëllojë pa paralajmërim ndaj kujtdo që rrezikon sigurinë kombëtare.

Pavarësisht se protestat nisën kundër rritjes së çmimit të karburanteve, autoritetet vendase pretendojnë se janë mbi 20 mijë terroristë të stërvitur dhe të armatosur jashtë vendit që po krijojnë destabilitet.

Shprehin po ashtu vendosmërinë për të shtypur protestat që shpërthyen në ditët e para të këtij viti, prej rritjes së çmimit të karburantit. Mëngjesin e të premtes, me altoparlantë ju bëhej thirrje qytetarëve të qëndronin në shtëpi, pasi do të nisë operacioni i madh anti-terror.

Rrugët e qytetit janë të boshatisura, teksa qytetarët shmangin daljet nga shtëpitë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Gjurmët e përleshjeve janë të dukshme kudo, përfshirë bashkinë e Almatit, qytetit më të madh të vendit. Forcat qeveritare po marrin ndihmë edhe nga aleati i madh, Rusia që po dërgon 2500 trupa, siç pretendohet, me mision paqeruajtës. Pamjet tregojnë makineritë ushtarake në Uljanovsk të Rusisë që janë gati për t’u dërguar në Kazakistan.

Nga përleshjet e deritanishme janë shkaktuar rreth 50 viktima, mes të cilëve 18 trupa qeveritare. Mbi 1 mijë janë të plagosurit, ndërsa gjatë këtyre ditëve 3 mijë persona janë arrestuar.

Tv Klan