Tragjedi në kufirin greko-turk

Policia dhe ushtria greke, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, nuk kursen më asgjë për të detyruar refugjatët sirianë të mos zbarkojnë në tokën greke.

Gjithashtu në drejtim të emigrantëve është hedhur sërish gaz lotsjellës, ndërsa forcat greke kanë qëlluar edhe me armë ndaj tyre. Menjëherë pas këtyre akteve të dhunës kanë reaguar edhe autoritetet turke që flasin për 3 viktima mes refugjatëve.

“Greqia dhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian që e konsiderojnë veten vende demokratike duhet të kenë të njëjtën qasje si ne për refugjatët. Duhet t’i përkrahin ata që i kanë te dera. Por shikojmë të kundërtën. Qëllojnë me armë në drejtim të refugjatëve. Deri tani kanë humbur jetën 3 prej tyre. Po ashtu pajisin me armë bujqit në zonë që t’i sulmojnë emigrantët”.

Ndërkohë në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë situata bëhet edhe më e rëndë. Prej 5 ditësh qindra mijëra refugjatë qëndrojnë në qiell të hapur me shpresën për të kaluar në tokën helene dhe më pas drejt vendeve në Perëndim. Numri i emigrantëve po shtohet nga ora në orë ndërsa edhe forcat greke në kufi kanë shtuar përpjekjet për t’i larguar.

Nisur edhe nga kushtet e vështira të motit, ata gjejnë si zgjidhje të ndezin zjarr për t’u ngrohur. Edhe pse janë në kushte tepër të vështira, duket se refugjatët kanë gjetur mënyrë tjetër për të thyer monotoninë dhe për të larguar mërzitjen.

Klan Plus