Ushtria izraelite shpëtoi 4 nga pengjet izraelitë që mbahen ende nga Hamasi. Të liruarit, një vajzë 25-vjeçare, dy djem 21 dhe 27 vjeç dhe një tjetër 40-vjeçar u liruan gjatë dy aksioneve të ndryshme të ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve në Nuseirat në zonën qendrore të Rripit të Gazës.

Trupat Mbrojtëse të Izraelit thanë se operacioni ishte tepër i vështirë, por megjithatë qëllimi u arrit pasi 4 të shpëtuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe fillimisht u dërguan në një spital pranë Tel Avivit.

Lajmi për lirimin e tyre u prit me entuziazëm në Izrael. Madje Beni Gantz, kryeministri alternat në kabinetin izraelit të luftës, por edhe kundërshtar politik i Benjamin Netanjahut, shtyu fjalimin e parashikuar për këtë të Shtunë, ku pritej të jepte dorëheqjen nga qeveria.

Gantz u shpreh i lumtur për lirimin e pengjeve. Largimi i tij nga kabineti mund edhe të rrëzojë qeverinë e Netanjahut dhe shihet si një prej opsioneve të mbështetura edhe nga Uashingtoni, që kohët e fundit nuk ka qenë dakord me ashpërsinë e luftës në Rripin e Gazës.

Në duart e Hamasit mbeten megjithatë, më pak se 100 izraelitë të tjerë.

Tv Klan