Pas shkëmbimit të fundit të pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë sipas marrëveshjes aktuale të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, ushtria izraelite është tërhequr nga korridori strategjik Netzarim në Rripin e Gazës.

Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga kjo zonë ushtarake e cila ndan veriun e Rripit të Gazës nga jugu, qindra palestinezë në makina dhe karroca të ngarkuara me dyshekë dhe mallra të tjera filluan të kthehen në Gazën veriore.

Tërheqja e trupave vjen pasi një delegacion izraelit pritet të fluturojë në Katar për fazën tjetër të bisedimeve të armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit.

Qeveria izraelite ka thënë më parë se delegacioni do të diskutojë fillimisht “çështjet teknike” në lidhje me fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, në vend të fazës së dytë e cila është  më sfiduese  dhe që synon të çojë në një armëpushim të përhershëm, shkëmbimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë në Gaza për më shumë të burgosur palestinezë dhe një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Në fazën e tretë të armëpushimit, parashikohet rindërtimi i Gazës, por ky proces ka ngjallur debate pas deklaratës së Donald Trump se SHBA duhet të marrë kontrollin e  territorit  dhe palestinezët të zhvendosen diku tjetër.

Mes atyre shteteve që së fundmi kanë dënuar zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre është Arabia Saudite.

Klan News