Balluku: Kontrollorët mund të kryejnë aksione të rrezikshme

Menjëherë sapo Ministrja Belinda Balluku deklaroi se ndërtesa e AlbControl do të merrej në ruajtje nga Forcat e Armatosura, mjetet e ushtrisë u panë duke shkruar në Aeroportin e Rinasit. Balluku deklaroi se të gjithë kontrollorët që kanë braktisur detyrën dhe ndodhen në godinën e sigurisë së lartë në aeroport do të nxirren nga godina nga policia e shtetit.

Ajo ishte e prerë dhe e qartë në deklaratën e saj, teksa tha se është humbur besimi dhe këta kontrollorë mund të kryejnë aksione të tjera shumë më të rrezikshme për hapësirën shqiptare dhe për popullin shqiptar.

“Të gjithë ata kontrollorë që kanë vendosur ta mbyllin dyqanin, më vjen keq, por ky nuk është një dyqan, ky është AlbControl, navigimi ajror i Republikës së Shqipërisë, i cili përveç të tjerash është një ndërtesë e sigurisë së lartë dhe për shkak të veprimeve të papërgjegjshme që keni bërë deri tani, na lind e drejta të humbim besimin ndaj jush. Është humbur besimi ndaj disave prej jush dhe nga momenti që bëtë këtë veprim mund të kryeni edhe aksione të tjera shumë më të rrezikshme për hapësirën shqiptare dhe për popullin shqiptar. Për këtë arsye nga ky moment ndërtesa do të merret në ruajtje nga forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe nga ky moment, Policia e Shtetit do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë të cilët kanë vendosur të mos jenë më kontrollorë”.

Ndërkohë, teksa përcolli pamjet e mjeteve të Ushtrisë që shkonin drejt godinës, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shkruajti se “Aeroporti i Rinasit Nënë Tereza është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. Strukturat tona të Forcave të Armatosura, si pjesë integrale e aeroportit, kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanise së aviacionit civil Albcontrol sha”.

/tvklan.al