Balluku: Kontrollorët do të mbajnë përgjegjësi penale

Kulla e monitorimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit konsiderohet një objekt strategjik i një rëndësie të veçantë për sigurinë kombëtare, për këta arsye nga ora 18:00 në të ndodhen Ushtria dhe Policia e Shtetit. Ndërkohë që kontrollorët e fundit dolën që aty në orën 19:00 atëherë kur përfundoi edhe turni i dytë.

Këta të fundit qëndronin brenda kullës edhe pse kishin deklaruar paaftësi të përkohshme në vendin e punës. Kur kontrollorët e turnit të tretë kërkuan të hynin në godinë, vetëm për t’ju përmbajtur orarit zyrtar, por jo për të punuar, ata nuk u lejuan nga Forcat e Armatosura.

Pas skandalit të bllokimit të hapësirës ajrore, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se kjo është vepër penale dhe ata do të mbajnë përgjegjësi.

Balluku përmendi shifrat e pagave të kontrolloreve duke vënë theksin në faktin se trafiku ka rënë me 57% qe nga viti 2019.

Sipas Ministres së Infrastrukturës, me refuzimin për të punuar, një pjesë e kontrolloreve janë shndërruar në masha të politikes duke bllokuar edhe mbërritjen e vaksinave.

Përveç punonjësve, përgjegjëse për këtë situatë sipas Ballukut është edhe politika, e cila po bën çmos që të bllokojë vaksinimin dhe të sjellë kaos për  qytetarët. 

Fluturimet në aeroportin e Rinasit do të jenë të bllokuara të paktën deri në orën 10.00 të së enjtes (pa patur një afat të përcaktuar). Vetëm të mërkurën u anuluan 12 fluturime dhe siç duket nga pamjet terminali në mbrëmje ishte tërësisht i zbrazët.

Tv Klan