Shqetësimit të Presidenti Ilir Meta, i cili zyrtarisht kërkoi informacion nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të FA-së në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”, iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë e kanë në mision kushtetues sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Nëse ne konstatojmë se kjo siguri është cënuar, apo edhe thjesht kërcënuar e pa u prekur, po thjesht ka një kërcënim, Forcat e Armatosura kanë detyrë kushtetuese të japin kontributin e tyre, për këtë situatë. Sigurisht, ato nuk kanë hyrë atje si Forca të Armatosura, ato kanë hyrë në detyrë si mbështetje ndaj strukturave të Policisë së Shtetit.”

Ngjarja e rëndë, sipas Ministrit Lleshaj, ka cënuar sigurinë kombëtare pas dështimit të kompanisë koncensionare për të garantuar sigurinë në aeroportin e Rinasit.

“Ju e patë të gjithë dhe këtu s’ka asgjë për të fshehur që siguria fizike e Aeroportit ishte atje ku nuk mund të pranohet, që gardhi edhe porta e saj u cënuan në harkun e disa sekondave. Atëherë në këtë situatë kemi dy rrugë; ose ta lëmë siç është sigurinë fizike, ose ta përforcojmë. Dhe përforcimi do kapacitete dhe kapacitete këto janë, dhe ne do t’i përdorim të gjitha kapacitetet që i shërbejnë sigurisë këtij vendi.”

Lleshaj thotë se nuk ndihet i keqardhur aspak për të dhënë dorëheqjen, por i kujton kundërshtarëve të tij politikë se grabitja në Rinas ishte një incident, duke hequr paralelizma me ngjarje të ngjashme si ajo e 11 Shtatorit në SHBA.

“Nuk kam luftuar asnjë ditë të jetës sime për ta pasur këtë post. Dhe nuk kam asnjë brengë, asnjë çast në jetën time, për ta lënë atë në mënyrën më dinjitoze. Por atë e gjykoj unë”.

Të martën, katër persona të maskuar dhe të armatosur hynë rreth orës 15:00 në pistën e Aeroportit të Rinasit dhe grabitën disa miliona euro të një banke të nivelit të dytë.

Tv Klan