Putin: Kemi pakt mbrojtjeje, por palët duhet të ndalin menjëherë luftimet

Luftimet mes armenëve dhe azerëve për rajonin e Nagorni-Karabakut rrezikojnë të tërheqin në luftë edhe Rusinë. Ndaj dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar pushimin e menjëhershëm të luftimeve, gjatë një interviste për televizionin shtetëror.

Putin u shpreh se ishte i shqetësuar për vrasjen e civilëve, ndërsa shpjegoi se cila fazë e përshkallëzimit të konfliktit mund ta përfshijë në luftë edhe ushtrinë ruse.

“Luftimet, për të cilat ne ndjejmë keqardhje, vazhdojnë edhe sot jashtë territorit të Armenisë. Me armenët kemi një traktat mbrojtjeje dhe nuk vihet në diskutim se do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona në çdo moment”.

Rusia ka edhe një bazë ushtarake në territorin e Armenisë dhe rreziku i përfshirjes në luftë në mbrojtje të territorit armen ka angazhuar personalisht shefin e Kremlinit në përpjekje për të ulur tensionet. Në një komunikim telefonik me Ilham Alijevin, homologun azerbajxhanas, Putin i shprehu nevojën e uljes në dialog dhe dhënien fund të luftimeve që vijojnë në javën e dytë.

Përfshirja në luftë mund ta përballte ushtarakisht Rusinë me Turqinë, aleaten e Azerbajxhanit. Kjo do të shkaktonte krisje të marrëdhënieve mes dy vendeve që kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë vitet e fundit deri në sferën ushtarake.

Tv Klan