Universiteti i Tiranës konfirmoi se kërcënimet ndaj Rektorit Dhori Kule dhe kandiadit për rektor, Mynyr Koni, kanë patur për qëllim tërheqjen e këtij të fundit nga gara.

Në një deklaratë për shtyp, të firmosur nga të gjithë dekanët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, thuhet se për kërcënimet, të cilat u bënë publike të shtunën nga ish – Kryeministri Sali Berisha, janë vënë në dijeni strukturat shtetërore, të cilat kanë masat e duhura, duke bërë që kandidati për rektor, Mynyr Koni të vazhdojë garën.

Mynyr Koni garon për postin e rektorit, përballë Klodeta Dibrës, e cila ka reaguar gjithashtu për situatën, duke kërkuar hetim për ngjarjen dhe zhvillimin e një gare të ndershme.

Në polici, akademiku Koni ka dëshmuar se një person e kishte urdhëruar të hipte në makinë dhe i kishte kërkuar të jepte dorëheqjen nga gara për rektoratin.

Në një reagim në rrjetet sociale ai thotë se tentativat për prishjen e procesit zgjedhor apo hedhjen baltë mbi të, bëhen vetëm nga individë të verbuar nga epshet e tyre të pakuptueshme.

Ditën e diel, në lidhje më kërcënimet është thirrur për të deklaruar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, Rektori i Univesitetit Dhori Kule, i shoqëruar nga Koni. Por prokurorët janë hermetikë në lidhje me deklaratat e dhëna në këtë seancë pyetjesh.

Brunilda Cami/Tv Klan