Beratasi i dha fitoren Ferencvarosit, hungarezët prekin titullin
Fundjava ka qenë tepër efikase për futbollistët e kombëtares shqiptare. Myrto Uzuni shënoi golin e vetëm në fitoren që Ferencvaroshi i tij mori në shtëpi përballë Honved, duke i dhënë 3 pikë me mjaft vlera në garën për titull.
Paraqitje që nuk ka kaluar pa u vënë re nga specialistët hungarez të futbollit, të cilët e kanë përfshirë beratasin në formacionin më të mirë të javës. Në skemën 3-4-3, Uzuni rreshtohet në krahun e majtë të mesit të fushës, pozicion që e kemi parë shpesh në këtë sezon.
Uzuni përfitoi nga një top i kthyer nga mbrojtja e Honved për të dërguar sferën në rrjetë me një gjuajtje të kalibruar në hyrje të zonës që nuk i la mundësinë portierit që të reagonte.
Ky ishte goli i 8 për sulmuesin në këtë kampionat ku po i afrohet pak nga pak rekordit të tij personal me 9 gola në kampionat. Këto gola kanë ndihmuar Ferencvaros-in që të krijojë një shkëputje aq të madhe nga ndjekësit sa tashmë është 17 pikë larg vendit të dytë në renditje e praktikisht ka vendosur në kasafortë titullin kampion.
Klan News