Shqiptari i dha Granadas fitoren e parë

Me penalltinë e kthyer në gol në ndeshjen kundër Mallorca, Myrto Uzuni i siguroi Granadas fitoren e parë në sezonin e ri të La Liga pas dy humbjeve në javët e para. Për paraqitjen e tij sulmuesi u përzgjodh në formacionin ideal të javës së tretë të kampionatit nga Gazeta sportive Marca.

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare ishte vendimtar për Granadan, teksa me golin e tij nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 70-të i dha fitoren 3-2 skuadrës së tij.

Pas një sezonitë shkëlqyer në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, me 23 gola si shënuesi më i mirë i kampionatit, Uzuni e ka nisur mirë edhe në ligën e parë spanjolle.

Objektivi i parë i Granadas është mbijetesa në shkallën më të lartë të futbollit spanjoll dhe me Uzunin në formë ka mundësi t’ia arrijë. Sulmuesi do të jetë një ndihmë e madhe edhe për kombëtaren kuqezi në dy ndeshjet e rëndësishme të Shtatorit me Cekinë në Pragë dhe Poloninë në shtëpi.

Tv Klan