Konflikti mes kushërinjve të parë në Lushnje ndodhi për ullinjtë në një tokë bujqësore. Nëna e viktimës ka thënë për gazetarët se djemtë e kishin mbjellë me ullinj dhe konflikti me kushërinjtë nisi për prishjen e tyre.

“Ajo është tokë-shtet. Çunat e patën mbjellë, është toka ime, vajtën atje dhe nuk di nëna më gjë. Për punë toke. Do ketë prishur ullinjtë që ka mbjellë çuni, vajtën me zetor për të prishur ullinjtë andej”, thotë mes lotësh nëna e viktimës.

Pas konfliktit mbeti i vrarë Romeo Hasalla 30 vjeç si dhe u plagosën dy vëllezërit e tij Laert dhe Emiljano Hasalla dhe i ati Shaip Hasalla 65 vjeç.

Familja u qëllua me çifte nga kushërinjtë e tyre të parë, vëllezërit Afrim dhe Kastriot Hasalla 33 vjeç. Ata janë shpallur në kërkim nga policia. /tvklan.al