Një grua 46 vjeç ka ardhur të rrëfejë historinë e saj në emisionin “Historia ime” në Tv Klan. Ajo tregon se është njohur me një person ku në fillim familjarët e saj nuk ishin dakort. Për një periudhë kohë ai e ndiqte deri sa e ndalon një ditë dhe i thotë që do të lidhet me të. Ajo e frikësuar i thotë që ka një familje dhe duhet t’i kërkojë dorën para familjes. Burri shkon i kërkon dorën, por prindërit e saj nuk e pranojnë.

46-vjeçarja: Familja nuk donte sepse e shikonin që ai ishte trup i rregullt, kurse unë jam e sëmurë nga këmba dhe familja thoshte si ka mundësi që ky njeri të të dojë ty.

Mirela Milori: Ti ke një problem në të ecur, e ke të lindur apo të fituar?

46-vjeçarja: Më kanë thënë që e kam të lindur, por më e madhja është bërë kur kam qenë në moshën 6 vjeç. Jam rrëzuar nga kati i dytë dhe atëherë është dalluar komplet deformimi i këmbës.

Mirela Milori: Një deformim që mund të rregullohej apo u la kështu?

46-vjeçarja: Para shumë kohësh kur jam vizituar më kanë thënë që mund të rregullohet, por atëherë kushtonte më shumë se 10 milion Lekë, kurse tani nuk jam interesuar, i jam përkushtuar më shumë fëmijës sim.

Gruaja tregon se personi me të cilin jeton ka qenë i martuar dhe ka dy vajza dhe një djalë të rritur, por nuk është i divorcuar, kështu ata vetëm bashkëjetojnë. Kur mori propozimin nga ai, u habit sepse thoshte gjithë ky njeri pa asnjë të metë ta dojë me një dëmtim në këmbë. Edhe prindërit e saj nuk e besonin që ky burrë i shëndetshëm do dëshironte të kalonte jetën me të vajzën e tyre.

Ata vazhduan njohjen mes njëri-tjetrit 4-5 muaj ku dilnin, takoheshin, pinin kafe, por prindërit e saj sërish nuk ishin dakort, ndërsa familja e burrit nuk e kishin aspak problem këtë lidhje dhe e pranonin si nusen e shtëpisë.

Mirela Milori: Kur vendosët ta finalizonit edhe pa dëshirën e familjes tënde, çfarë ndodhi.

46-vjeçarja: Në 13 Tetor të 2012 i dhamë finalizimin, më tha unë do vij të të marr, e ke vendosur? Të jap besën e burrave që unë nuk do tallem me ty më tha dhe unë i thashë jam dakort e ika me të, u rrëmbeva. Pasi pimë një kafe i thashë, si të duash vepro, jeta ime është në duart e tua, nuk ka më kthim mbrapa tek familja ime. Mora babin në telefon sepse mami kishte vdekur, i thashë që mora njeriun që dua, ai më tha qoftë për hajër, por mirë nuk ma bëre. Gruaja tregon se i ati nuk mbajti dot inat dhe pas një jave i ftoi të dy tek shtëpia dhe e prezantoi me fisin.

Pas një viti ajo lindi një vajzë, ishte në moshën 39 vjeç. Kur doktorët i thanë që ka lindur me dy vrima në zemër asaj iu shemb gjithçka, madje ata i thoshin që kjo vajzën nuk është për ju. Me mbështetjen e bashkëshortit ata vazhdojnë ta rrisin vajzën e tyre mes problemeve dhe sfidave. Pasi doli nga spitali ai kujdesej për foshnjën e vogël, e lante, e shpëlante, i jepte ushqim për të ngrënë sepse gruaja kishte shumë frikë ngaqë vajza ishte shumë e vogël.

Ajo ka kërkuar në emision që t’i gjendet një punë bashkëjetuesit sepse janë të dy pa punë, jetojnë në një shtëpi të vogël me qira, ku ka shumë lagështirë dhe vajza e tyre e vogël është bërë me astmë. Psikologu Samir Bakalli është zotëruar që ta ndihmojë dhe t’i referojë një vend pune bashkëjetuesit. Gjithashtu ai i jep udhëzime që të kërkojë Kemp apo ndihmë ekonomike për vajzën. /tvklan.al