Michelle Pearson ndërroi jetë 20 muaj pasi 4 fëmijët e saj u shuan nga një zjarr i qëllimshëm. Ajo ndodhej në spital që prej ngjarjes së rëndë dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Michelle nuk mundi të mbijetonte.

Tani nëna e saj, Sandra Lever, në një rrëfim për të përditshmen The Sun, tregon se e bija, e cila kishte djegie të rënda në trup, arriti të dilte për herë të fundit jashtë dhe u bleu infermiereve nga një dhuratë në dyqanin e spitalit, pak ditë përpara se të vdiste.

37-vjeçarja luftoi në mënyrë të vazhdueshme me vdekjen ndërkohë që iu nënshtrua operacioneve të panumërta për shkak të plagëve të infektuara, por në fund “zgjodhi” që t’i bashkohej fëmijëve të saj.

Nëna e saj 58-vjeçare tregon se i ishte lutur të bijës që të mos ikte, megjithatë në intervistën e dhënë për The Sun ajo shprehet: “Michelle nuk donte të ishte me ne. Mendoj që kishte kohë që donte të ishte me fëmijët e saj. Në një mënyrë jam e lumtur, mbi të gjitha për dhimbjen që kaloi këto 20 muaj”.

Michelle, e cila që kur ishte fëmijë ëndërronte të bëhej nënë, i humbi fëmijët e saj Demi 15, Brandon 8, Lacie 6 dhe Lia 3 vjeçe, në një sulm me benzinë në shtëpinë e familjes në Salford të Manchesterit, në Shtator të 2017-s.

Ajo arriti t’i mbijetonte flakëve, por pësoi djegie në 75 përqind të trupit dhe qëndroi për gati 5 muaj në koma. 37-vjeçarja u shua mbrëmjen e së dielës.

Autor i kësaj ngjarjeje makabre ishte Zak Bolland, në atë kohë 23-vjeç. Ai kishte pasur një konflikt me vëllain e madh të fëmijëve, 16-vjeçarin Kyle Pearson, i cili sëbashku me të ëmën arriti t’i shpëtonte flakëve.

Zak Bolland dhe David Worrall u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e fëmijëve./tvklan.al