Brikena është një bijë e cila ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babain e saj, Mustafain. Përveç atyre të dyve, e pranishme në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është edhe nëna e Brikenës, Dhurata. Brikena thotë se nuk e di nëse “zotëria”, siç e quan ajo Mustafain është babai i saj dhe kërkon të vërtetën.

Brikena: Unë sot kërkoj të vërtetën nga zotëria këtu prezent.

Ardit Gjebrea: Nga baba!

Eni Çobani: Ju i thoni zotëri pra, nuk i thoni baba.

Brikena: Jo.

Eni Çobani: Nuk e ndieni t’i thoni baba. Është shumë e rëndë të fillosh një seancë ndërmjetësimi duke i thënë zotëri.

Brikena: Jo se nuk e meriton.  Nuk ka qenë asnjëherë prezent.

Mustafa: Po ça goce je ti që të biesh babain këtu? Për çfarë arsyeje i kam bërë gjithë këto sakrifica? Kam 26 vjet që punoj në Itali.

Brikena: Figura mashkullore që unë kam pasur kur kam qenë e vogël deri para se të shkonim në Itali, por edhe pasi shkuam në Itali ka qenë gjithmonë gjyshi prezent. Ai ka qenë gjithmonë që ngrihej, më rrinte nga mbrapa, ka qenë ai që më ka dhënë hapat e para të rritjes.

Eni Çobani: Pra burri që ju ruani si figurë në jetën tuaj është gjyshi nga mamaja, nuk ëshë babi figura burrërore që ju keni ndierë ngrohtësi.

Brikena: Jo se këtë gjë… ka qenë gjithmonë gjyshja, mamaja e zotërisë prezent që gjithmonë e ka mbajtur larg. Këtë mendoj, por asnjëherë nuk e ka kundërshtuar, asnjëherë nuk i ka thënë “jo, ajo është vajza ime!” Nuk të kam dëgjuar asnjëherë e sidomos kur ishte jot ëmë, motrat e tua duke thënë “nuk ka problem, le të vdesë se bën një tjetër, vjen një tjetër kalama”, këtë kanë thënë kur isha në spital!

Mustafa: Edhe nipin e dua, familjen time e dua, fëmijët e mi i dua!

Brikena: Çfaë nipi po thua? Kush është nipi në këtë mes? Këtu jam unë!

Dhurata: S’është e drejtë zotëri të flasësh ashtu për gocën!

Brikena: Këtu jam unë, as nipi, asnjeri. Kush është nipi?

Mustafa: Nuk janë të vërteta fare!

Brikena: Ti duhet të më thuash kush jam unë për ty! Kush jam unë për ty? Unë kështu nuk vazhdoj duke folur. Zonja Eni, më falni, ky kështu ka bërë gjithmonë. Nuk arrin dot të kesh një dialog, asnjëherë. Gjëja e vetme që ka është të ngrejë zërin, ti të ulesh dhe të mos flasësh, mos të kesh një opinion, mos të kesh të drejtën të dish një të vërtetë. Ti nga këtu sot nuk del pa më treguar të vërtetën, kam pritur shumë!

Mustafa: E vërteta është se shtëpinë me zor e kam bërë!

Eni Çobani: E vërteta për çfarë?

Brikena: Është babai im apo jo? Ky po ndërron muhabet!

Me ndërhyrjen e Dhuratës, qartësohet se Mustafai është babai biologjik i Brikenës. Problemi midis të dyve është te lidhja shpirtërore që Brikena thotë se ka munguar gjithnjë nga ana e të atit./tvklan.al