Në vitin 1999, pasi i ishin larguar luftës në Kosovë të hipur në një kamion me 32 persona, Njazi, familja e tij dhe gjithë të tjerët gjetën strehim në Marikaj. Hajdar Kusi ishte një prej personave që hapi shtëpinë dhe zemrën për të ndihmuar me çfarë kishte mundësi.

Njazi, i cili sot ka ardhur me vajzën, Marigonën në “Ka Një Mesazh Për Ty nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, tregon se si bashkë me Hajdarin kishin nisur të kërkonin edhe të tjerë që kishin nevojë për ndihmë. Gjatë kërkimeve, mësonin se kishin humbur shumë të afërm, por për Njaziun brenga më e madhe ishte vajza që kishte lënë në Suharekë.

Ardit Gjebrea: Ju vetë ishit si familje me bashkëshorten?

Njazi: Me bashkëshorten, me fëmijë, me 4 fëmijë, të pestën e kisha në Kosovë.

Ardit Gjebrea: Oh vërtet?

Njazi: Informatat që merrja, në lagjen e tyre janë bërë ato masakrat më të mëdha të Suharekës, më të tmerrshme.

Marigona: Të familjes Berisha.

Njazi: Të familjes Berisha që kanë qenë, 3-4 familje dhe kam bredhur në Durrës, Tiranë, gjithkah ku thonin që ka njerëz me këtë mbiemër. Deri një muaj para se të kthehesha nuk kam pasur informata për gocën e madhe.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë ndodhi?

Njazi: Një ditë, lajmi më i gëzueshëm në jetën time ka qenë kur punonjësja e postës më tha “urime se kemi informata që goca me familjen e vet që ka qenë e martuar në Suharekë, ajo ka shpëtuar, edhe familja, edhe goca”. Për mua zoti Ardit, ajo ka qenë dita më e lumtur e jetës time.

/tvklan.al