Hera e parë që Dr Amit Patel e pa vajzën në shtëpinë e tij shtangu kaq shumë sa ra nga shkallët. “Ishte kaq e gjallë”, kujton ai sot. “Mund të shihja detaje në fustanin e saj. Kishte gjak në fytyrë”.

Një muaj më herët, në Nëntor të 2012-s, ish-mjeku i departamentit të aksidenteve dhe emergjencës ishte verbuar papritur për shkak të një hemorragjie katastrofike në të dy sytë.

E teksa përpiqej që të negocionte një botë pa shikim, vajza, ose më saktë vizioni i pastër si kristali i një të tille; fustan të bardhë, flokë të zeza e mbuluar nga gjaku dhe hematomat, i shfaqej pa paralajmërim. Dhe ajo vijon t’i shfaqet që prej asaj kohe.

“Mund të jem duke punuar, duke ecur në rrugë, me fëmijët dhe ajo shfaqet papritur”, rrëfen për The Independent 40-vjeçari, baba i 2 fëmijëve.

Kjo quhet Sindroma Charles Bonnet dhe rreth 1 milion njerëz pjesërisht të verbër dhe të verbër në Mbretërinë e Bashkuar besohet se jetojnë me të.

Ata shohin, shpesh çdo ditë, vizione tepër reale dhe të detajuara. Ndonjëherë janë pamje beninje, lule, nota muzikore që varën ne ajër, apo formimin e ylberëve.

Por për shumë, për arsye të panjohura, skenat janë horror. Tarantula që dalin nga librat, mostra në mes të miqve, apo zombie që i shfaqen në shtëpi.

Dr Patel e lidh vizitoren e tij me vajzën në filmin The Ring. “Më pëlqente shumë ai film”, thotë ai sot, teksa pranon se nuk ka më të njëjtin mendim.

Njerëzit që vuajnë nga kjo sindromë e dinë që gjithçka shohin nuk është e vërtetë, por e kanë të pamundur që të mos i shohim. Nuk ka kurë.

Pikërisht këtë shpresojnë të mund të gjejnë tashmë hulumtuesit.

Një studim i përmasave të mëdha, i ndërmarrë nga neuroshkencëtarët e Universiteti të Oxford, pritet të nisë këtë verë, për të hetuar se çfarë e shkakton këtë sindromë.

Në këtë mënyrë, shkencëtarët shpresojnë që fillimisht të destigmatizojnë një sëmundje që shumë prej personave që e kanë e vuajnë në heshtje, për shkak se kanë frikë se mos shëndeti i tyre mendor do të vihet në dyshim nga ata që i rrethojnë. Së dyti të hedhin bazat për gjetjen e një trajtimi.

Teksa për një kohë të gjatë është përcaktuar se kjo sindromë lidhet me ndërveprimin e syrit me trurin, puna kërkimore do të ketë si qëllim që të përcaktojë se çfarë ndodh ekzaktësisht brenda këtij procesi./tvklan.al