Tabloja ” Jo Putinit, jo luftë” u bë shkak për arrestimin e babait të saj të cilit iu hoq gjithashtu e drejta prindërore

Vajza ruse Maria Moskalyov, e cila ishte dërguar në jetimore pasi kishte vizatuar një foto kundër luftës, është marrë nga nëna e saj, e cila nuk ka jetuar me familjen për të paktën shtatë vjet.

Alexei Moskalyov u gjobit pasi shkolla e vajzës së tij raportoi se ajo kishte vizatuar një fotografi kritike për luftën në Ukrainë. Më vonë ai u dënua me dy vjet burg për diskreditim të forcave të armatosura të Rusisë dhe vajza e tij 13-vjeçare u dërgua në një jetimore. Komisionerja ruse për fëmijët tanimë ka dekalaruar  se vajza është me nënën e saj.

Problemet për Alexei Moskalyov, një prind i vetëm, filluan pasi vajza e tij, Maria, vizatoi një fotografi në një klasë arti vitin e kaluar që paraqisnin raketa ruse që fluturonin drejt Ukrainës dhe parullat “Lavdi Ukrainës” dhe ” Jo Putinit, jo luftë” në shkollën e mesme numër 9 në Yefremov, 290 km në jug të Moskës.

Dokumentet zyrtare të kujdestarisë nga fillimi i vitit treguan se nëna e saj përdor një mbiemër të ndryshëm. Babai, Alexei Moskalyov, iku nga arresti shtëpiak pak para seancës dëgjimore të tij javën e kaluar në qytetin Yefremov në jug të Moskës. Ai u arrestua në Bjellorusi. 

Megjithatë, një avokate që përfaqëson Moskalyov, Yekaterina Gordon, deklaroi se çështja penale nuk duhet të prekë të drejtat e tij prindërore.

“Fakti që prindi ishte përgjegjës për një periudhë të shkurtër kohore dhe fakti që përkonte me një tablo kundër luftës nuk jep arsye për të kufizuar të drejtat prindërore. Mendoj se këtë e dinë të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje”.

Por ky vendim është kritikuar në komunitetin ndërkombëtar, por jo në mesin e banorëve rusë të cilët shprehen se ligjeve duhet t’i binden të gjithë. Disa u shprehën se rasti ishte keqinterpretuar dhe se Moskalyov kishte fyer forcat e armatosura kështu që duhet të dënohej.

“Çfarë të them? Më vjen keq për vajzën. Ajo do të përfundojë kështu në jetimore, një fëmijë që nuk i duhet askujt. Sa për babain në këtë rast ai bëri një krim që dënohet me burg”.

“Ata duan t’u tregojnë të tjerëve se duhet të mendosh për atë që bën në shkollë, në punë, çfarë thua e kështu me radhë. Nuk mund të sillesh aq pa menduar si Aleksei dhe vajza e tij.  Nuk mund të shkruash e as të vizatosh. Duhet të jesh si gjithë të tjerët”.

Rasti nënvizoi goditjen që Kremlini i ka dhënë prej vitesh disidencës duke vënë në shënjestër të pamëshirshëm këdo që guxonte të kritikonte luftën. Memorial, një nga grupet më të vjetra dhe më të shquara të të drejtave të Rusisë dhe fitues i çmimit Nobel për paqen 2022, e ka shpallur Moskalyovin të burgosur politik.

Së fundmi edhe pse Maria është marrë nën kujdestarinë e nënës së saj ajo ka publikuar në rrjetet sociale, një lerë që e cilëson  babanë e saj “personin më të guximshëm në botë”. “Të dua shumë dhe e di që nuk je fajtor për asgjë”, thuhej në letër. “Gjithçka do të jetë në rregull dhe ne do të jemi bashkë. Ti je heroi im”, shtoi ajo.

Klan News