Presidenti i Republikës, Ilir Meta, doli në një konferencë për mediat këtë të mërkurë pas dekretimit të Marsida Xhaferllarit si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.

Meta deklaroi se për Presidentin nuk ka asnjë afat të caktuar në Kushtetutë për sa i përket vakancave në lidhje me Gjykatë Kushtetuese

“Duhet të keni të qartë se nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin. Ka për parlamentin për arsyen që dihet se parlamenti është një institucion kolegjial që përbëhet nga forca të ndryshme politike. Kushtetuta është mbi çdo gjë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo akt në këtë proces i Presidentit, i parlamentit dhe gjithë institucioneve që janë të përfshira në ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese është historik sepse do ngelet si referencë në të ardhmen. Çdo veprim i Presidentit aktual është një veprim që mbetet si precedent për presidentët e ardhshëm. Duhet të kemi të qartë se KED është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ për të organizuar krijimin e Gjykatës Kushtetuese, asgjë tjetër. Kushtetuta tregon se si krijohet Gjykata Kushtetuese”, tha Meta.

Kreu i shtetit foli ashpër ndaj kryetarit të KED, pasi sipas Metës, ka vendosur vetë kohën për listat e vakancave që janë dërguar. Sipas Metës, interpretimi që presidentit i ka mbaruar afati është i turpshëm, absurd dhe mafioz.

“Kushtetuta thotë qartë që presidenti ka të drejtën i pari për të plotësuar vakancën e parë, pastaj është parlamenti që plotëson vakancën e dytë. Në këtë mënyrë përsëritet kjo renditje dhe në këtë plan, në këtë aspekt është detyra e KED të rregullojë listat e vakancave, të kritereve dhe afateve që të respektohet Kushtetuta për mënyrën e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos kemi përplasje mes institucioneve. Nuk është e kundërta që KED, i cili është institucion kolegjial apo akoma më keq, por kryetari KED të bëjë lojëra të karakterit administrativ duke vendosur vetë për kohën se si i dërgon listat për vakancat që krijohen, në mënyrë të tillë tepër të dyshimtë, për të mos thënë në mënyrë të tepruar, mafioze që të vendosë presidentin në këtë pozitë që do të shkeli detyrimisht Kushtetutën e Republikës, e cila thotë qartë që Presidenti plotëson vakancën e parë dhe pastaj është parlamenti që plotëson vakancën e dytë. Pra presidenti duke dërguar listën për të dyja vakancat, vakancën e parë dhe të tretë, Presidenti praktikisht shkel Kushtetutën dhe pastaj parlamenti me të drejtë do ta anatemonte Presidentin për shkelje të Kushtetutës dhe me të drejtë për zgjedhjen e tij për vakancën e dytë që i takonte presidentit si përzgjedhje antikushtetuese. Ose me interpretime qesharake dhe absurde thotë që i ka mbaruar afati presidentit. Kjo është e turpshme, absurde dhe mafioze”, tha Meta.  /tvklan.al