Përmes dy kanaleve të mundshme, Maqedonia e Veriut pritet që të sigurojë vaksinë kundër Covid-19, sapo e njëjta të jetë e disponueshme në tregun botëror. Pacientët duhet ta marrin pa pagesë, ndërsa ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili do të jetë në këtë pozitë edhe kabinetin e ri qeveritar, shpreson se te qytetarët është rritur vetëdija për nevojën e vaksinave dhe do të dëshirojnë të imunizohen.

Shteti do të ndajë buxhet për furnizim me vaksinë kundër koronavirusit, e cila me shumë gjasë së pari do të arrijë nga Britania e Madhe, e krijuar nga shkencëtarë të Universitetit të Oksfordit, ndërsa e prodhuar nga ana e gjigantit farmaceutik “Astra Zeneka”.

Njëri prej kanaleve është Organizata botërore e shëndetësisë, përmes të ashtuquajturit mekanizëm KOVAKS, për çka Maqedonia e Veriut tashmë ka nënshkruar letër të qëllimeve, për furnizim të barabartë sipas numrit të popullatës. Kanali tjetër është përmes qeverisë polake, për çka ministri Venko Filipçe ka njoftuar para dy ditëve.

Dëshiroj të shpreh mirënjohje për ambasadorin e Polonisë, sepse vendet anëtare të BE-së kanë mundësi që një pjesë të vaksinave t’i shesin, sepse megjithatë bëhet fjalë për furnizim, dhe sot u drejtuan me një letër nëse ne përmes Polonisë dëshirojmë të furnizohemi me sasi adekuate të vaksinave. Më së voni deri të enjten do t’i përgjigjemi ofertës”, tha Filipçe.

Për momentin nuk dihet sa do të kushtojë vaksina, as ajo e ekipit të Oksfordit, as nga ekipet tjera shkencore në botë. Por ministri Filipçe, siç thotë për edicionin e sotëm të “Sloboden Peçat” shteti për këtë do të ndajë buxhet.

“Ende nuk e dimë cili do të jetë çmimi i vaksinës, por shteti definitivisht do të ndajë buxhet dhe vaksinimi do të jetë falas. Mendoj se vetëdija për rëndësinë e vaksinave është ngritur, posaçërisht pas epidemisë së vitit të kaluar me fruthin”, tha Filipçe.

Në disa nga vendet evropiane tashmë kanë filluar fushatat për vaksinim sa më masiv kundër gripit sezonal, për shkak të shpresave se në atë mënyrë do të zbuten simptomat edhe gjatë infeksionit eventual me virusin korona.

Autoritetet shëndetësore edhe më tej paralajmërojnë skenarë më të këqinj në vjeshtë, kur do të paraqitet edhe gripi sezonal, ndërsa si përgatitje në Maqedoninë e Veriut punohet në hapjen e 16 miniqendrave covid në afërsi të spitaleve në vend. /Klan Macedonia