Presidenti Trump bën premtimin e madh: Kemi punuar, jemi shumë afër

Disa javë më parë gazetari investigativ Bob Woodward nëpërmjet librit të tij nxori në dritë disa të pathëna ndaj presidentit amerikan se ai ka fshehur përhapjen e Covid-19, por në një intervistë të fundit, kreu i SHBA-ve i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh që kur pandemia u përhap nuk ka menduar kurrë që të shkaktoi panik tek njerëzit. Sipas tij administrata ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer duke e menaxhuar siç duhet këtë situatë të vështirë.

Gjatë intervistës për ABC NEWS, Trump bëri të ditur se vaksina do të jetë gati dhe do të shpërndahet përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA në 3 Nëntor.

“Kemi bërë një punë të mrekullueshme dhe ne jemi shumë pranë një vaksine. Nëse doni të dini të vërtetën, administrata e mëparshme do të kishte dashur ndoshta vite për të bërë një të tillë. Brenda tre ose katër javësh ajo do të jetë gati”.

Asnjë vaksinë nuk ka përfunduar ende provat klinike, ndërsa shkencëtarët kanë ngritur shqetësimin se ndërhyrja e politikës si dhe retorika e Trump po e dëmton edhe më shumë krijimin e kurës anti Covid-19.

Jo vetëm kaq, por presidenti amerikan po refuzon edhe atë që deklarojnë ekspertët e shëndetësisë se vaksina mund të dojë shumë kohë për t’u prodhuar dhe se situata nga Covid-19 mund të agravohet me ardhjen e dimrit. Trump është përpjekur që të ndalë shumë herë shefin e sëmundjeve infektive Anthony Fauci që të raportojë për Covid-19 dhe shkallën e rrezikshmërisë që ky lloj virusi ka.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të renditen në vend të parë për vdekjet dhe infektimet. Numri i atyre që ka rezultuar mbartës ka shkuar në 6.7 milionë ndërsa 200 mijë persona kanë humbur jetën. Së fundmi ekspertët e shëndetësisë kanë bërë të ditur se në bazë të parashikimeve 410 mijë amerikanë mund të vdesin deri në fillim të vitit 2021.

Klan Plus