Po përdoret në 45 vende, përshirë Europën

Teksa gjigantët botëror të farmaceutikës e kanë të pamundur të përmbushin në kohë kërkesat e mëdha për vaksina anti-Covid nëpër botë, shumë vende po shohin si një alternativë për të shpëtuar sa më shpejt nga pandemia, përshpejtimin e procesit të imunizimit me vaksinat kineze.

Kjo është ngarkesa e parë me 30 mijë doza vaksinash nga firma kineze Sinofarm që mbërritën të Mërkurën në Malin e Zi. Vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor është rasti më i fundit që i bashkangjitet listës me të paktën 45 vende të botës që janë furnizuar nga “ndihma kineze me vaksina”.

Maqedonia e Veriut ka nënshkruar një marrëveshje për furnizimin me 200 mijë doza nga Kina, ndërsa Serbia është vendi i parë në kontinent që nisi që në mesin e Shkurtit injektimin e vaksinës Sinofarm, prej të cilës ka marrë 1.5 milionë doza. Serbia ka ritmet më të shpejta në kontinent për vaksinimin falë vaksinës kineze dhe renditet e shtata në botë, një vend poshtë Shteteve të Bashkuara.

Brenda BE-së është Hungaria e para që nuk ka pritur mendimin e Agjencisë Europiane të Barnave dhe nisi injektimin e Sinofarmës, ku ndër të parët që e mori të Hënën ishte edhe kryeministri Viktor Orban. Në tratativa është edhe Kroacia. Me vaksinat kineze Sinovac nisi në mes të Janarit vaksinimin edhe Turqia, ku ndër të parët ishte presidenti Rexhep Taip Erdogan. Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa al Kalifa u vaksinua që në fazat e testeve klinike të vaksinës Sinofarm, më 16 Dhjetor të vitit të kaluar.

Efektivitetin më të lartë mes vaksinave kineze, 83.5%  e ka ajo që po injektohet në Turqi, Sinovak. 79% efektshmëri ka vaksina tjetër Sinofarm, që po injektohet gjerësisht nga Amerikan Latine në Azinë Juglindore.

Janë të shumta vendet që po e porosisin vaksinën kineze, kjo edhe për faktin, se përdorimi i saj në Kinë i ka ulur ndjeshëm infektimet dhe ka bërë të mundur rihapjen e disa qyteteve.

Tv Klan