Testimi po kryhet paralelisht edhe të njerëzit

Vaksina kundër koronavirusit që po zhvillohet nga universiteti i Oksfordit nuk po jep deri më tani rezultatet e pritshme në teste. Revista shkencore Nature shkruan se testet e kryera tek majmunët treguan se vaksina nuk i mbrojti ata nga infektimi me Covid-19.

Testet u kryen tek 6 majmunë, tek të cilët edhe pas injektimit të vaksinës nuk u konstatua reduktim i pranisë së viruseve në hundë, një ndër pikat e para të kontaktit të koronavirusit me qeniet e gjalla. Sipas ekspertëve, kjo do të thotë se vaksina nuk ndikoi në forcimin e imunitetit të tyre ndaj Covid-19.

Megjithatë, kjo është një ndër fazat e para të testeve tek majmunët, që po kryen paralelisht me ato tek njerëzit. Për këta të fundit, shkencëtarët e universitetit të Oksfordit ende nuk kanë të dhëna, por thonë se provat deri tani janë premtuese.

Pak ditë më parë, edhe firma farmaceutike amerikane Moderna njoftoi se edhe provat e saj tek njerëzit kanë dhënë rezultate pozitive, pavarësisht se nuk publikoi detaje. Deri më tani disa laboratorë, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Britani të Madhe, Gjermani, Kinë, etj, janë në fazat e testeve tek njerëzit.

Afati më i afërt deri më tani për nxjerrjen e një vaksine është vjeshta, edhe pse ekspertët e OBSH-së thonë se kjo është e pamundur nga përvoja e deritanishme.

Tv Klan