Edhe vende të BE lidhin marrëveshje me Moskën

Nevoja për përshpejtimin e ritmeve të vaksinimit në të gjithë globin ka zgjeruar kohët e fundit edhe hartën e përhapjes së vaksinës ruse Sputnik V. Fondi Rus i Investimeve të Drejtpërdrejta njoftoi këtë të Martë se lista e vendeve që kanë lidhur marrëveshje për furnizim me vaksinën Sputnik V ka arritur në 55.

Në listë bëjnë pjesë edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës mes vendeve të rajonit dhe Hungaria e Sllovakia si anëtare të Bashkimit Europian. Mes vendeve të unionit po shtohen zërat që kërkojnë autorizimin edhe të kësaj vaksine për përshpejtimin e ritmeve të imunizimit.

Agjencia Europiane e Barnave është ende duke vlerësuar përparësitë dhe efektshmërinë e kësaj vaksine, ndërsa Italia, Gjermania, Franca e Spanja, kanë lidhur marrëveshje paraprake me Moskën për prodhimin e dozave të Sputnik V.

Edhe pse në perëndim shihet me skepticizëm, Sputnik V ka efektshmërinë më të lartë në botë mes vaksinave anti-COVID që qarkullojnë aktualisht. Në fillim të Shkurtit, revista prestigjioze shkencore Lancet publikoi rezultatet e testimeve të pavarura në institute të ndryshme të botës që konfirmonin efektshmërinë 91.6% pa efekte anësore të pazakonta, ashtu siç pretendonte që Gushtin e vitit të kaluar, instituti Gamaleja në Moskë që e zhvilloi.

Ajo çka nxiti skepticizmin në perëndim për këtë vaksinë ishte se autoritetet ruse i dhanë asaj autorizim të parakohshëm për përdorim masiv, që pa nisur faza e tretë dhe përfundimtare e provave klinike. Për këtë arsye, zhvilluesit rusë po përballen me vështirësi në ringritjen e besueshmërisë tek Sputnik V. 

Sputnik V përdor variante të dobësuar të viruseve që shkaktojnë të ftohurin e zakonshëm që qarkullojnë prej mijëra vitesh në botë, për të krijuar imunitet të mjaftueshëm kundër koronavirusit. Të njëjtën metodologji përdorin edhe Astrazeneca dhe Johnson end Johnson në vaksinat e tyre që kanë një përqindje më të ulët efektshmërie kundër COVID-19. Sputnik V renditet mes vaksinave me çmimin më të ulët, rreth 10 dollarë për dozë.

Tv Klan