Varhelyi: Mekanizëm i veçantë për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian duket se ka reflektuar pas ankesave që kanë ardhur nga vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat fillimisht u lanë jashtë vëmendjes së furnizimit me vaksina kundër Covid.

Në një postim në mediat sociale Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, shkruan se BE ka gati një mekanizëm për të mposhtur Covid-19 dhe të ketë një vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor.

“Për të siguruar front të përbashkët për të mposhtur Covid-19 dhe qasjen e menjëhershme të vaksinave, Bashkimi Evropian do të ngrejë mekanizëm për të strukturuar sigurimin e vaksinave anti-Covid, me vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor. Do të hulumtohet mundësia e mëtejshme për të siguruar vaksinat shpejt”, shkruan Varhelyi.

Ky reagim i Komisionerit për Zgjerimin vjen si një përgjigje për reagimet e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se BE nuk ka menduar për Ballkanin Perëndimor./tvklan.al