Ndërsa në botë kanë filluar të shpërndahen vaksinat kundër Covid-19, tani shkencëtarët janë të shqetësuar për mutacionet që ka pësuar virusi. Në përgjithësi, koronaviruset nuk ndryshojnë lehtë, kjo pjesërisht falë një sistemi molekular “korrigjues”. Muajt e fundit, janë vërejtur disa variante të reja të virusit origjinal, që duket se shkaktojnë ndryshime të mëdha në mënyrën e veprimit të patogjenit, përfshirë ndryshime në shkallën e infektimit.

Deri më tani, vaksinat e zhvilluara nga Moderna dhe Pfizer duket se funksionojnë kundër varianteve të reja, edhe pse Moderna ka nisur zhvillimin e një shtese përforcuese. Ekspertët besojnë se meqenëse këto dy vaksina janë më shumë se 90 për qind të efektshme, një rënie e lehtë e efektivitetit do t’i bënte ato ende të vlefshme për t’u përdorur.

Një prej varianteve është identifikuar për herë të parë në Spanjë. Ai përmban një mutacion të quajtur A222V në proteinën që e rrethon nga jashtë virusin. Brenda disa muajsh, ky mutacion u bë varianti dominues në Europë. Shkencëtarët britanikë njoftuan në dhjetor se B.1.1.7 ishte të paktën 50 për qind më infektiv se sa varianti origjinal. Varianti B.1.1.7 përmban 17 mutacione, përfshirë disa në proteinën virale.

Në të njëjtën kohë, varianti tjetër u shfaq në Afrikën e Jugut dhe u bë aty varianti dominues. Ndryshimi gjenetik mund ta ndihmojë virusin të shmangë sistemin imunitar të njeriut si dhe vaksinat anti-Covid. Në janar studiuesit raportuan se kishin zbuluar dy variante të reja në Brazil dhe në Japoni.

Nga të dy variantet, studiuesit aktualisht janë më të shqetësuar për mutacionin Brazilian. Ky variant përmban më shumë mutacione sesa ai i Japonisë.

Klan News