Ndihmohen personat që nuk mund të lëvizin

Vaksinatorët Rovena dhe Arjana, nga Qendra Shëndetësore Nr.8 në kryeqytet, po përgatiten për të kryer vaksinimet nëpër banesa. Ekipi është kontaktuar nga mjeku i familjes, për pacientë që duan të marrin dozat antiCovid, por në pamundësi fizike nuk mund të paraqiten në poliklinikë.

Kjo zonjë 86-vjeçare do të marrë dozën e tretë të vaksinës Pfizer, pas kryerjes së proçedurave formale.

Ekipi vaksinator qëndron aty për rreth 20 minuta për t’u siguruar nëse pacienti ka ose jo reaksione të mundshme anësore.

“Ne i këshillojmë pacientët që të marrin paracetamol nesë kanë efektet anësore të zakonshme si dhimbje krahu, pak temperaturë. Dhe nëse në ditët në vijim ka komplikacione të tjera duhet më patjetër të kontaktojë mjekun e familjes”, thotë infermierja Rovena Gjika.

Sipas ekipit vaksinator, aktualisht ka rreth 15 kërkesa në javë për vaksinime në banesa, ndërsa pjesa më e madhe paraqiten në poliklinikë.

Pacientët e moshuar apo ata me sëmundje të ndryshme, që e kane të pamundur të lëvizin mund të kontaktojnë me mjekun e familjes, i cili i përcjell më pas të dhënat tek qendrat shëndetësore. I gjithë procesi përfundon brenda 24 apo 48 orëve.

Tv Klan