Biden: Pandemia, tani është e të pavaksinuarve

Vaksinim ose çdo javë tampon duhet të bëjnë punonjësit e firmave të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Kjo masë është pjesë e paketës së re të parashtruar nga Presidenti amerikan Joe Biden, për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit në vend.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se firmave me mbi 100 punonjës do t’u ofrohen ndihma financiare për secilin prej tyre, që duhet të shkëputet nga puna për t’u vaksinuar.

“Kjo është pandemia e të pavaksinuarve. Mesazhi im për ta është: Çfarë prisni më? Vaksinën e bëmë të sigurtë, vaksinimin të lirë. FDA-ja dha aprovim të plotë. Mbi 200 milionë amerikanë kanë marrë njërën nga dozat. Kemi qenë të durueshëm deri tani, por durimi ka kufi”.

Masat vijnë teksa varianti Delta i ka rritur sërish shifrat e pandemisë me valën e re të përhapjes së koronavirusit që ka ushqyer.

Spitalet janë pranë ezaurimit të kapaciteteve, teksa numri i të shtruarve në shkallë kombëtare është pranë 100 mijëshit, kufi i thyer vetëm gjatë valës masive të përhapjes gjatë valës së Dhjetor- Janarit të vitit të kaluar.

Këtë javë infektimet prekën sërish mbi 150 mijë, ndërsa edhe vdekjet kanë pësuar rritje, teksa shumica e të prekurve janë të pavaksinuar.

Tendencë rritjeje, veç Shteteve të Bashkaura, infektimet dhe viktimat kanë edhe në Britaninë e Madhe, Gjermani e Izrael.

Tv Klan