Manastirliu: Jemi në një situatë delikate në spitale

Brenda 15 Marsit pritet të përfundojë vaksinimi për 23 mijë bluzat e bardha. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se përveç vaksinave Pfzier pritet të vijnë edhe vaksinat e AstraZeneca.

“Pritet që të hënë të vijnë edhe dozat e Pfizer 15 mijë vaksina, ndërsa brenda 10 ditëshit të Marsit vijnë edhe 15 mijë doza nga Covax të AstraZeneca”.

Pas Tiranës, Elbasanit, Fierit, Vlorës, Beratit dhe Kukësit, ka nisur vaksinimi edhe në Korçë. Janë 150 bluza të bardha të qarkut Korçë që marrin dozën e parë të vaksinës.

“Do të vaksinohen mjekët, infermierët, sanitarët, mjekët e familjes në të gjitha bashkitë e juglindjes. Në dy ditët e para në Korçë do të vaksioneh rreth 500 bluza të bardha dhe në vazhdim do të ecet sipas planeve 5 ditore”.

Teksa vijon procesi i vaksinimit të bluzave të bardha, ministrja e Shëndetësisë u ndal tek situata në spitalet Covid. Ministrja Ogerta Manastirliu tha se të gjithë spitalet rajonale po trajtojnë raste të dyshuara covid.

“Po përballemi me shtim të numrit në spitale nga rritja e numrit të infektimeve. Hapja e tre spitaleve e ka shfryrë fluksin për trajtimin e Covid në Tiranë. Të gjithë spitalet rajonale po trajtojnë raste të dyshuara. Jemi në një situatë delikate të pacientëve të shtruar. Janë më shume se 600 pacientë që po trajtohen në spitale”.

Deri tani Shqipëria ka në dizpozicion 800 shtretër për të infektuarit që do kenë nevojë për trajtim spitalor. Në 4 spitalet Covid në Tiranë dhe ata 3 rajonalë janë mbi 600 të shtruar.

Në rast të ezaurimit të kapaciteteve spitalore, Ministria e Shëndetësisë do të kalojë në skenarin e tretë me hapjen edhe të 5 spitaleve të tjerë rajonalë, duke arritur në 1600 numri i shtretërve në total.

Tv Klan