Kukësi mirëpriti personelin shëndetësor të Kosovës për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-covid, proces i cili nuk ka nisur ende matanë kufirit.

Të pranishëm gjatë vaksinimit ishin kryeministri Rama, ministrja Manastirliu dhe kreu i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës.

Manastirliu u shpreh se janë përzgjedhur 500 mjekë dhe infermierë nga zona të ndryshme të Kosovës për t’u vaksinuar.

“Janë mjekë dhe infermierë të gjithë  shëndetësorë të vijës së parë  edhe të spitaleve të tjera jo vetëm të Prishtinës. Janë organizuar sipas një filtri që mjekët të cilët janë në urgjenca dhe reaminacione, të jenë të parët që të vaksinohen. Besoj se me 500 mjekë dhe infermierë kemi siguruar edhe një mbrojtje më të mirë të atyre që u shërbejnë pacientëve”, tha Manastirliu.

Kreu i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla vlerësoi shumë ndihmën e qeverisë shqiptare për vaksinimin anticovid.

“Vëllai i madh e ka tregur veten në këto momente dhe 500 dozat e para, jo se janë 500 dozat e para, por për ne punëtorët shëndetësor është një fillim shumë i bukur dhe shumë i mirë”, u shpreh Syla.

Kryeministri Rama gjeti rastin t’i përgjigjej nga Kukësi presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se ndihma për Kosovën do të vijojë

“Kukësi është edhe i Shqipërisë dhe i Kosovës, kështu që me këtë rst, qëlloi rastësisht në fakt të nesërmen e asaj hartës së leshit por është më mirë kështu. Kështu që ai shoku në Beograd le të publikojë harta e të lozi me Facebook. Në fakt Blerimi më mori në telefon dhe më tha t’i bëjm nja 200, thashë hajt sa duhen për momentin, tha 500. Në rregull! Do vazhdojmë patjetër, ne nuk do t’ju lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit ne jemi një”, tha Rama.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç publikoi hartën e Kosovës me flamurin serb në profilin e tij në Instagram. Kjo solli reagime të shumta edhe nga Bashkimi Evropian.

Klan News