Mjekja Shiroka: 80-vjeçarëve nuk u ka ardhur radha, jemi ende te mosha 90 vjeç.

Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinës së Pfizer do të vijojë vaksinimi i të moshuarve në mbarë vendin. Aktualisht mjekët e familjes po bëjnë listat por edhe njoftimin e të moshuarve që do të bëjnë vaksinën. Por ende mosha e atyre që po vaksinohet është mbi 90 vjeç.

“Është telefonuar gjithësecili prej tyre dhe jemi ende në këtë proces, për të marrë dakordësinë e gjithsecilit kur vlerësohen që nuk kanë kundër-rindikime shëndetësore të mirfillta të cilat pengojnë kryerjen e vaksinën në momentin aktual”, tha Shiroka.

Drejtoria e qendrës shëndetësore numër 3 në Tiranë thotë se ka një rritje të interestit te moshat mbi 70 dhe 80 vjeç që kërkojnë të bëjnë vaksinën, por radha e tyre ende nuk ka ardhur për t’u vaksinuar.

Ndërsa te personat 90 vjeç ka patur dhe shumë refuzime. Mosha e personave që do të vaksinohen sipas autroiteteve shëndetësore do të vijojë duke u ulur gradualisht, në varësi edhe të vaksinave që do të mbërrijnë në vend.

“Në refuzime, një nga arsyetimet janë edhe për shkak të moshës, për t’ia lënë dikujt tjetër. Por ka edhe persona të cilët janë skeptikë dhe kanë atë stigmën ndaj vaksinës, si do reagojë organizmi, a do të kemi efekte anësore”, tha Shiroka.

Kriteri aktualisht për të bërë vaksinën në këtë kategori është mosha, por mjeku gjykon edhe situatën shëndetësore të të moshuarve. 

Sipas të dhënave të INSTAT në mbarë vendin + 85 vjeç janë 26.275 persona.  Ndërkohë që mbi 55 mijë persona janë të grupmoshës, 80-84 vjeç.  Minimalisht vetëm për këtë grupmoshë duhen rreth 164 mijë doza vaksinash anti-covid.

Klan News