Vaksinimi, Shqipëria e para për 7 ditët e fundit



Vaksinimi, Shqipëria e para për 7 ditët e fundit

15:46 05/04/2021

Të dhënat, nga barometri global i vaksinimit

Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon, sa i përket numrit të dozave në dispozicion dhe atyre të injektuara në raport me numrin e popullsisë për 7 ditët e fundit .

Të dhënat u bënë publike nga barometri global, i cili tregon mesataren javore për 100 persona në popullsinë totale.

Siç duket nga grafiku, Shqipëria ndodhet në krye, duke lënë pas edhe Serbinë e Greqinë që e kanë nisur më herët këtë proces.

Referuar të dhënave të barometrit global vendi ynë disponon 0.55 doza vaksine për 100 persona në popullësinë totale, e pasuar nga Serbia me 0.5, Turqia me 0.33, ndërsa në fund vjen Kosova me më pak se 0.1 doza vaksine për 100 banorë.

Referuar pikërisht këtyre të dhënave, kreu i qeverisë u shpreh optimist se kjo luftë do të fitohet me këmbëngulje e durim të madh, për të pasur një sezon turistik të lehtësuar.

Gjithsesi të dhënat janë vetëm për javën e fundit dhe nuk përfshijnë rezultatet e procesit të vaksinimit që nga nisja e tij.

Prej më shumë se 1 jave në Shqipëri ka nisur vaksinimi masiv i popullatës, me prioritet grupmosha mbi 70 vjeç, si dhe kategoritë e tjera si mësuesit, pedagogët, punonjësit e medias dhe uniformat blu.

Deri më tani janë në total më shumë se 195 mijë doza të injektuara me vaksinat Pfizer/BioNTech, Astrazeneca dhe Sinovac.

Tv Klan







Të ngjashme