Dasho: Duhet riparë vendimi për vaksinimin e moshave pediatrike

Tashmë që situata pandemike në vend është përmirësuar dhe infektimet janë minimale, epidemiologët shprehen se duhet riparë vendimi për vaksinimin e fëmijëve.

Erion Dasho thekson se vendimmarrja duhet të jetë rezultat i studimeve serioze e të thelluara nga mjekët e fushës.

“Unë mendoj se aplikimi i vaksinës te fëmijët eviton vëmendje të shtuar. Nuk duhet të jetë një individ që vendos vulën pro ose kundër duhet të jenë ekipe që analizojnë evidencat dhe marrin vendime”.

Me ritme jo të mira dhe larg objektivave të OBSH-së apo qeverisë ka shkuar procesi edhe për të rriturit. Epidemiologu Dasho rendit arsyet kryesore.

“Faktorët mbarëbotërorë dhe faktori në Shqipëri, ai i aplikimit të vaksinave jo cilësore, solli që Shqipëria është një nga vendet me shkallë më të ulët të vaksinimit. Unë i bëj thirrje  autoriteteve të shëndetit publik në Shqipëri që ta marrin me seriozitet çështjen e vaksinimit, të kenë komunikim me qytetarët, sidomos ata vulnerabël”.

Javën e shkuar në vendin tonë mbërritën edhe 140 mijë doza vaksine Pfizer duke e çuar numrin e tyre në mbi 3 milionë e 282 mijë që prej Janarit të 2021.

Klan News