Vaksinohet mbi 20% e popullsisë



Vaksinohet mbi 20% e popullsisë

21:00 11/05/2021

Erida Nelaj: Dozën e dytë e kanë marrë mbi 170 mijë persona

Dy në 10 persona në vendin tonë ka marrë dozën e parë të vaksinës anti covid. Sipas ekspertes së vaksnimit Erida Nelaj, aktualisht në të gjitha qendrat shëndetësore janë shpërndarë edhe vaksinat ‘Sputnik V’, për personat mbi 60 vjeç. Ndërkohë që me vaksinën kineze Sinovak, po avancon imunizimi i qytetarëve  me dozën e dytë.

“Rreth 20% e popullsisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, mbi 170 mijë doza të dyta të aplikuara tashmë, kryesisht vaksinën koronavak, por edhe Sputnik apo Pfizer”, është shprehur Erida Nelaj.

Me ardhjen e 11,700 dozave të Pfizer numri i vaksinave në vendin tonë shkon në 760 mijë doza. Por për kë kategori do përdoren  këto vaksina?

“Kjo është një vaksinë që për momentin është alokuar tek të sëmurët, ata që marrin dializë, ata që kanë kryer transplanto, personat që trajtohen për kancer dhe tumor, që bëjnë kimioterapi dhe që kanë një rënie të imunitetit, apo njerëz me diabet. Shkalla e diabetit është e tillë që ka ulur imunitetin. Të gjithë mjekët e familjeve kanë përgatitur listat e personave të sëmurë dhe gradualisht bëjnë grafikun dhe tërheqin vaksinën”, është shprehur ajo.

Sa i përket efekteve të vaksinimit Nelaj sqaron se ato kanë qenë minimale.

“Mund të ketë dhimbje në vend të infeksionit që është e zakonshme, ose një dhimbje trupore, muskulore, të nesërmen duket si një mini-covid, sikur për një ditë apo dy ditë shfaqen shenjat e Covidit, ajo dhimbja, dobësia, temperatura është e kuptueshme, por janë të tëra efekte kalimtare që kalohen me trajtime paracetamol”, është shprehur Nelaj.

Synimi i ministrisë së shëndetësisë është që brenda muajit qershor të vaksinohen 1 milionë persona.

Klan News







Të ngjashme