Ekspertët: Doza e parë e Pfizer të mbron 85%

Nga kjo e diel, në Izrael ka nisur lehtësimi i masave të ashpra për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Dyqanet, libraritë, muzetë, qendrat tregtare dhe aktivitete të ndryshme të kohës së lirë kanë nisur të rihapen gradualisht. Si dita e parë e javës së kalendarit hebraik, e Diela hapi edhe shkollat për një pjesë të nxënësve të ciklit të ulët dhe të mesëm.

Për Ministrinë e Shëndetësisë në këtë vend, kjo është faza e parë e rikthimit në normalitet, teksa do të qëndrojnë akoma në fuqi masat për frenimin e përhapjes si ruajtja e distancës dhe maskat. Autoritetet e konsideruan po ashtu si sukses procesin e vaksinimit, që deri më tani ka arritur t’u injektojë vaksinën Pfizer gati gjysmës së popullsisë prej 9 milionë banorësh.

Përparësi për të hyrë në ambientet e rihapura pas karantinës kanë të vaksinuarit, të cilët mund të shkarkojnë certifikatën e vaksinimit përmes aplikacionit online të administratës publike.

Sakaq, ekspertët izraelitë kanë arritur në përfundimin se doza e parë e vaksinës Pfizer ka 85% efektivitet, 33% më e lartë se çfarë mendohej deri më tani. Kjo tregon se që me dozën e parë të vaksinës Pfizer arrihet pranë efektivitetit maksimal të shfaqur prej saj me dy doza, 94.5%.

Vaksinimi ka ndikuar në rënien drastike të rasteve të infektimeve që kanë arritur një mesatare ditore prej 3 mijë, nga 9 mijë një muaj më parë. Tendenca e rënies së infektimeve ruhet edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane.

Tv Klan