Kuçova kapi temperaturën më të lartë me 41.6 gradë Celcius

As hijet e pemëve, uji i ftohtë apo çadrat nuk mjaftuan për t’i bërë ballë ditës më të nxehtë të Qershorit. “Vala e ferrit” siç e cilësojnë sinoptikanët valën afrikane, shënoi këtë të enjte një rekord prej 42 gradësh në qytetin e Kuçovës. Thuajse në të njëjtat nivele, me 41 gradë ishte edhe Shkodra, Elbasani, Berati e Gjirokastra.

“41.6 gradë është edhe temperatura më e lartë e kësaj vale pikërisht në Kuçovë. Pothuajse gjithë ultësira perëndimore është luhatur nga 38.3 deri në mbi 40. Në të vërtetë kemi temperaturë afërsisht 40, por e kemi ndjerë si 46 gradë dhe ka qenë një ajër mbytës”.

Një sfidë e vërtetë ka qenë për qytetarët dielli përvëlues.  

“Shumë vapë, kemi qëndruar me shishe uji në dorë”.

“Tmerrësisht nxehtë”.

“Shumë, shumë vapë”.

“Çfarë t’i bësh, vera kështu e ka”.

Por shpëtim nga temperaturat ekstreme nuk do të ketë as të premten.  

“Nesër pritet një rënie e lehtë, thuajse e papërfillshme dhe kjo vetëm në veri të vendit, pra rënie me 0.1 ose 0.2 gradë që nuk ndjehet fare. Rënie pritet vetëm në fundjavë me të paktën 3 deri 4 gradë”.

Ndërkohë Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar se për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ka rrezik të lartë zjarresh, sidomos në qarqet Fier dhe Berat.

Tv Klan