Shënohet 786 mijë infektime në mbarë botën

I gjithë globi është në mesin e një vale të re të përhapjes së koronavirusit. Në 24-orëshin e fundit në mbarë botën u regjistruan 786 mijë raste të reja infektimesh, shifra e tretë më e lartë që nga nisja e pandemisë vitin e shkuar.

India është vendi që po përballet me situatën më të vështirë momentalisht, pasi regjistroi 145 mijë raste të reja dhe mbi 770 viktima.

Gjithashtu një situatë e vështirë paraqitet në Brazil, i cili raportoi 89 mijë infektime dhe mbi 3600 humbje jete. Problematike është situata edhe në spitale, ku më shumë se 8 mijë persona janë në gjendje kritike për jetën.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan një rritje tjetër të rasteve të reja, ndërsa mbajnë vendin e parë në botë sa i përket numrit të personave në terapi intensive.

Në kontinentin europian, Turqia vijon të ketë rritje të infektimeve, pasi edhe në këtë 24-orësh raportoi mbi 55 mijë raste të reja.

Vala e katërt e Covid-19 ka prekur edhe Francën, e cila pati gati një dyfishim të infektimeve. Ndërkohë që Italia dhe Polonia janë vendet europiane që shënuan numrin më të madh të fataliteteve në kontinent, me mbi 700 viktima secila.

Tv Klan