Një valë e pazakontë e të nxehtit me temperatura që i kalojnë 40 gradë Celsius ka përfshirë Rio de Zhaneiron.

Të hënën në qytetin brazilian termometri shënoi 44°C. Autoritetet e qytetit rekomanduan që banorët të shmangin ekspozimin ndaj diellit dhe të jenë të hidratuar.

Vapa intensive është krahasuar me kushtet e shkretëtirës, ​​duke ndikuar në jetën e përditshme dhe punën.

Kjo valë e pazakontë e të nxehtit ka ndikuar tek turistët dhe banorët të cilët e kanë përshkruar situatën si të padurueshme.

Si pasojë e temperaturave të larta plazhet, ishin të mbushura me njerëz këtë fundjavë në Rio, veçanërisht në Copacabana.

Vala e të nxehtit goditi Rio de Zhaneiron më pak se dy javë përpara karnavaleve të famshme.

Por teksa Brazili është përfshirë nga kjo valë e pazakontë e të nxehtit, në SHBA autoritetet kanë  paralajmëruar për “një të ftohtë të rrezikshëm”, me temperatura që parashihen të bien deri në – 51 gradë Celsius në Montana, të shoqëruara me erëra të forta.

Meteorologët thonë se disa shtete do të përjetojnë stuhinë e dhjetë dhe më të ftohtën për këtë stinë, që po vjen nga drejtimi i Arktikut.

Në Dakotën e Veriut, erërat e ftohta dhe temperaturat e ulëta pritet të zbresin deri në – 50 gradë Celsius.

Klan News