Vala “Omicron” mbërrin edhe në Kosovë


Vala “Omicron” mbërrin edhe në Kosovë

16:14 12/01/2022

Vishaj: Të pavaksinuarit paraqesin gjendje klinike më të rëndë

Në Kosovë çdo ditë e më shumë po rritet numri i rasteve të reja të prekur me Covid-19. Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se sikurse vendet e rajonit edhe Kosova nuk mund t’i ikë valës së re të infektimeve me variantin e Omicron të Covid-19.

“Ne kemi bërë përgatitjet e duhura në mënyrë që të përballemi me këtë patologji e cila pritet që të vij edhe te ne”.

Aktualisht numri i rasteve aktive me Covid-19 është mëse 2000, ndërsa brenda 24 orësh po bëhen nga 8 mijë deri në 9000 testime.

Megjithatë situata është e menaxhueshme në klinikën infektive. Aktualisht janë duke u trajtuar 8 pacientë me Covid 19, 4 prej të cilëve të pavaksinuar.

“Pacientët të cilët janë të pavaksinuar janë duke manifestuar formë klinike mjaft të rëndë, kurse këta që janë të vaksinuar janë duke manifestuar një formë klinike më të lehtë”.

Ndërkohë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti-Covid ndërsa institucioneve përgjegjëse u ka rekomanduar që të mbikëqyrin me përpikmëri zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Tv Klan








Të ngjashme