Vala vdekjeprurëse e Covid në Indi kërcënon botën



Vala vdekjeprurëse e Covid në Indi kërcënon botën

18:40 07/05/2021

Lideri i opozitës në Indi, Rahul Gandhi ka paralajmëruar se nëse nuk vihet nën kontroll vala e dytë vdekjeprurëse e Covid-19 në Indi kërcënon seriozisht vendin dhe pjesën tjetër të botës.

Në një letër dërguar Kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, kreu i opozitës vendase i ka kërkuar atij që qeveria të hartojë një plan për t’u përgatitur për një bllokim tjetër kombëtar dhe për të nisur sa më shpejt një program vaksinimi.

Nëse pandemia nuk vendoset nën kontroll në Indi, që aktualisht ka marrë përmasa të frikshme, do të përbëjë rrezik të madh për vetë vendin por edhe për botën, ka paralajmëruar kreu i opozitës.

“Lejimi i përhapjes së pakontrollueshme të virusit në vendin tonë do të jetë shkatërrues jo vetëm për qytetarët tanë por edhe për pjesën tjetër të botës”, thotë Gandhi në letrën e tij dërguar Kryeministrit indian.

Në Indi tashmë është përhapur një variant i ri i Covid-19 i quajtur B.1.617 që është shumë infektiv.

Ky mutacion është shpërndarë edhe në shtete të tjera, të cilat kanë marrë masa duke kufizuar lëvizjet dhe duke bllokuar udhëtimet nga India. Sistemi shëndetësor në Indi është në kolaps për shkak të numrit të lartë të pacientëve të infektuar.

Shumë pajisje mjekësore, të tilla si respiratorë, janë dërguar si ndihmë nga shtete të tjera drejt Indisë për të përballuar emergjencën mjekësore. /tvklan.al







Të ngjashme