E cilëson banale ngjarjen për të cilën akuzohet

Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga vendimi për të marrë detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës. Vendimin që vjen pas publikimit të dokumentave nga Partia Demokratike që tregonin se ai ishte i arrestuar dhe dënuar në Itali për trafik droge, Pjetri e bëri publik në faqen e tij në Facebook.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”.

Fillimisht Valdrin Pjetri i mohoi akuzat. Pas publikimit nga Partia Demokratike të vendimit të dënimit të drejtësisë italiane, sot Pjetri e cilësoi ngjarjen e ndodhur 20 vjet më parë, si banale.

“Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”.

Pjetri thekson se tashmë do të përqendrohet në sqarimin ligjor të kësaj çështje. Ai shkruan se kurrë nuk ka qenë pjesë e kësaj kategorie njerëzish për të cilën sot akuzohet.

Partia Demokratike e ka akuzuar Pjetrin se ka fshehur dënimin në formularin e dekriminalizimit, çka përbën shkak që ai të largohet nga funksionet publike, si dhe ka akuzuar kryeministrin Rama se ka qenë në dijeni të dënimit.

Kryeministri Rama u distancua në fillim të javës nga Pjetri, duke thëne se askush nuk është mbi ligjin dhe se rrugët e Partisë Socialiste me Pjetrin ishin ndarë. Prokuroria ka nisur verifikimin për dënimin e Pjetrit dhe ka dërguar kërkese zyrtare pranë autoriteteve italiane.

Pas dorëheqjes se Pjetrit situata në Bashkinë e Shkodrës mbetet e paqartë. Sipas ligjit Presidenti duhet të shpallë datën e përsëritjes së zgjedhjeve brenda 45 ditëve. Por Presidenti nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ka shpallur dekretin për mbajtjen e tyre më 13 Tetor, ndaj kjo situatë e re pritet ta thellojë edhe më tej krizën kushtetuese e politike në vend.

Tv Klan