Valdrin Pjetri jep shenjat e gishtave

Valdrin Pjetri jep shenjat e gishtave

15:37 20/08/2019

Prokuroria pritet të nisë hetimet për falsifikim

Valdrin Pjetri kandidati i Partisë Socialiste që dha dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të bashkisë së Shkodrës ka dhënë shenjat e gishtave në laboratorin e policisë shkencore.

Ai është paraqitur të hënën para ekspertëve dhe ka kryer procedurën në kuadër të verifikimeve që po bëhen për të shkuarën e tij penale.

Shenjat e gishtave do të t’i dërgohen Europolit dhe Interpolit për t’i krahasuar me të dhënat që ata kanë.

Sipas hetuesve Valdrin Pjetri nuk ka ndërruar emrin ose mbiemrin gjatë qëndrimit jashtë vendit, por shenjat e gishtave i janë marrë për të saktësuar që bëhet fjalë për të njëjtin person.

Megjithatë, vetë Pjetri e ka pranuar historinë, duke provuar kështu që bëhet fjalë për të. Prokuroria është në pritje të përgjigjeve të letër porosive që ka dërguar në Itali për të marrë informacion në mënyrë zyrtare për dënimin, siç e kërkon ligji.

Pas mbërritjes së të dhënave, prokuroria do të vendosë mbi veprimet e tjera hetimore që do të kryejë.

Organi i akuzës nuk pritet t’i bëjë kërkesë Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për ndërprerje mandati, pasi Pjetri refuzoi ta merrte atë pas publikimit e dosjes nga Partia Demokratike.

Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme do ta dërgojë dosjen hetimore në Prokurorinë e Tiranës, e cila do të duhet të nisë hetimet për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, pasi ai e ka fshehur dënimin gjatë plotësimit të tij, çka përben një tjetër shkelje penale që dënohet nga 6 muaj deri në 4 vjet burg.

Megjithatë, deri tani, asnjë nga zyrtarët e prekur nga dekriminalizimi nuk është dënuar me burg për falsifikim të formularit. Rasti i Valdrin Pjetrit ka futur edhe më tej në ngeë situatën politike që po kalon një krizë prej disa muajsh.

Në Bashkinë e Shkodrës do të duhet të ribëhen zgjedhjet, por presidenti i Republikës Ilir Meta ka deklaruar se nuk do të dekretojë datë tjetër për zgjedhje të pjesshme, pasi ai nuk e njeh procesin e 30 Qershorit dhe ka dekretuar 13 Tetorin.

Deri në zgjidhjen e situatës, në krye të bashkisë së Shkodrës pritet të qëndrojë Voltana Ademi, ndërsa këshilli i ri bashkiak u konstitua një ditë më parë mes tensionesh.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT