Gjermania merr masa të jashtëzakonshme, Franca e shpall të enjten

Vendet europiane po rikthejnë karantinën kombëtare, teksa Covid-19 ndodhet në kulmin e xhiros së infektimeve në gjithë kontinentin. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë, kancelarja gjermane Angela Merkel shpalli nisjen e karantinës së pjesshme prej 2 Nëntorit deri në fund të muajit të ardhshëm.

Planifikohet mbyllja e bareve, restoranteve dhe lënia në funksion vetëm e shërbimit jashtë ambienteve të tyre. Pritet të mbyllen hotelet, kinematë, teatrot, shtëpitë publike, pishinat, palestrat dhe të gjitha aktivitetet që grumbullojnë shumë klientë. Industria do të jetë e hapur, por me masa të rrepta kundër përhapjes e po ashtu edhe institucionet arsimore.  

Edhe Presidenti Emmanuel Macron pritet të shpallë për së dyti karantinën kombëtare, që mund të nisë që mesnatën e të enjtes. Shtetrrethimi në shumicën e qyteteve të mëdha duket se nuk ka dhënë rezultatet e kërkuara.  

Spitalet po punojnë mbi kapacitetet, ndërsa infektimet ditore nuk po bien. Më shumë se gjysma e shtretërve në terapinë intensive në Francë janë zënë nga pacientët me Covid. Në Paris, kjo shifër arrin në 70%.

Ekspertët thonë se nëse nuk ulen infektimet ditore, brenda 15 ditësh spitalet nuk do të kenë më mundësi të trajtojnë pacientë të tjerë. Krahas Francës, e rëndë situata në spitale paraqitet në Belgjikë dhe Çeki, dy vendet me shifrën më të lartë të të infektuarve në kontinent në përpjestim me numrin e popullsisë. 

Statistikat tregojnë se në disa spitale të Belgjikës, për shkak të mungesës së personelit shëndetësor, shumë mjekë janë të detyruar t’u shërbejnë pacientëve edhe kur janë të infektuar me COVID-19. I njëjti problem edhe në Çeki ku numërohen mbi 13 mijë punonjës të sistemit shëndetësor të infektuar. Shumë nga ata që nuk tregojnë simptoma vazhdojnë të punojnë. 

Franca, Britania e Madhe dhe Italia shënuan numrin më të lartë të vdekjeve ditore të valës së dytë. Presidenti i Këshillit Europian, Chales Michel tha se deri në fund të këtij viti ose në fillim të 2021-shit pritet të jenë gati 3 – 4 vaksina. 

Tv Klan