ISHP: Mbi 17 mijë raste në javë në të gjithë vendin

Viruset gripale po qarkullojnë masivisht në popullatë së fundmi. Sipas ekspertëve, janë 17 500 raste në javë me grip në të gjithë vendin.

“Aktualisht jemi në pikun e qarkullimit të gripit, me infeksione të sipërme dhe të poshtme janë rreth 17 500 raste në javë. Aktiviteti i gripit është i përhapur në të gjithë vendin”.

Grupmosha më e prekur janë fëmijët dhe mosha aktive. Sipas bluzave të bardha, gripi po shfaqet më agresiv se më parë.

“Gjatë dy viteve të pandemisë nuk ka qarkulluar gripi dhe popullata nuk ka patur njohjen imuniteti të gripit”.

“Raste ka përditë, mosha më e prekur janë fëmijët dhe grupmosha aktive që janë në punë dhe kontakt me më shumë njerëz. Është evidente shumë temperaturë e lartë, sidomos ditët e para, ndërsa ka pacientë të tjerë që fillojnë me një kollë, shumë temperaturë shfaqet ditën e dytë apo të tretë. Ka dhimbje fyti, dhimbje gjoksi, kollë e fortë. Mund të zgjasë 3-5 deri 7 ditë tek personat me imunitet më të lodhur”.

Specialistët bëjnë apel që për çdo shenjë të kontaktojnë me mjekun e familjes, për të mos kaluar në gjendje të rëndë deri dhe në shtrim spitalor.

“Ne jemi këtu, të kontaktojnë, pasi neglizhenca dhe keqtrajtimi bën që të përfundojnë edhe në spital. Nuk mund të përdoret antibiotik për ditët e para nëse nuk e gjykon mjeku”.

Nga ana tjetër ekspertët e ISHP rekomandojnë vaksinimin antigrip për kategoritë e riskuara. Edhe pse jemi në pikun e gripin, sipas ekspertëve vaksina mund të kryhet në çdo kohë për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë rënë në kontakt me viruset gripale.

Tv Klan