Pritjes së gjatë i erdhi fundi! Valentino Rossi do të jetë pjesë e MotoGP edhe për dy edicionet e ardhshme. Akordi është arritur dhe mbetet vetëm zyrtarizimi që duket se është thjeshtë një formalitet tashmë.

Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, “doktori” ka gjetur dakordësinë për të drejtuar motorin e skuderisë satelite të skuadrës Yamaha, atë të Petronas deri në vitin 2022.

Dyshimet dhe reflektimet e 41-vjeçarit të Yamaha u konkretizuar në një zgjedhje sa të çmendur aq edhe interesante. Qëndrimi edhe për tre sezone të tjera, përfshirë edhe këtë të këtij viti e shndërrojnë italianin pa dyshim në një simbol të MotoGP.

Ai kërkon që të jetë një legjendë në këtë sport dhe realizimi i objektivit është shumë pranë. Petronas nuk është një skuderi lidere, por të jep mundësinë për të dhënë maksimumin.

Numri 46 do ta shoqërojë sërish Rossin në eksperiencën e re, ku së bashku me Franko Morbidelli do të tentojnë të bëjnë surprizën në një kampionat që ecën me shpejtësi marramendëse. Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe italiani e di fare mirë këtë.

Ai i Giacomo Agostinit është shumë pranë, vetëm 8 fitore larg atij që mban aktualisht Rossi. Edhe nëse gjërat shkojnë ndryshe, Rossi do të njihet si piloti që ka fituar më shumë tituj kampion bote, plot 9! Fat të mbarë, doktor!

Klan Plus